Rreth nesh

Artport.al është një nismë e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Qëllimi parësor i artport.al është të funksionojë si një databazë ose indeks i të gjitha subjekteve – organizata të çdo lloji – që veprojnë në fushën e arteve bashkëkohore në Tiranë e më gjerë. Kësisoj, pritshmëria jonë është që artport.al të rritet e zgjerohet vazhdimisht me kalimin e kohës dhe inkurajojmë të gjitha subjektet që veprojnë në fushën e arteve bashkëkohore t’i bashkohen artport.al duke plotësuar formën e regjistrimit në sektorin “Bashkojuni Artport.al”.

Çdo organizatë që bëhet pjesë e artport.al do të ketë profilin e saj – që konsiston në një paragraf ku përshkruhet misioni i organizatës, një galeri me imazhe të ndryshme, si dhe adresa/faqja në internet/facebook/twitter/numri i kontaktit/oraret, etj. Ju kujtojmë se të gjitha organizatat që përfaqësohen në artport.al duhet të përditësojnë eventet të cilat ato organizojnë ose në të cilat marrin pjesë, në mënyrë që këto evente të reflektohen në kalendarin e përbashkët të artport.al.

Artport.al synon gjithashtu të jetë një hapësirë e përbashkët virtuale për subjektet që veprojnë në fushën e arteve bashkëkohore, duke ndihmuar kështu në konsolidimin e skenës artistike në vend.